Togu i Dëshmorëve të Kombit,…

Togu i Dëshmorëve të Kombit,…

Nga Baki Rexhepi

 

Vendosja e pllakës përkujtimore me emrat e njëzet e shtatë Dëshmorëve të Kombit pjesëtar të Ushtrive Çlirimtare të trojeve etnike që dhanë më sublimen, jetën e tyre, që ne këtu në Luginë të gëzojmë këtë liri të kufizuar është veprim ndonëse i vonuar megjithatë i arritur.

Ky Tog i Dëshmorëve të Kombit emrat e të cilëve janë të gravura me shkronja të arta, pa dyshim se është vlera më e madhe e sakrificës sonë  kombëtare, e përpjekjeve të pareshtura e mundit dhe veprimit për një të ardhme më të mirë.

Vendosja e murit me emrat e  Dëshmorëve të Kombit, para godinës së Kuvendit Komunal të Preshevës, nderon jo vetëm Dëshmorët,  por edhe familjarët, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë bashkëkombësit e tyre.

Dëshmorët nuk vdesin ata jetojnë me veprën e tyre, ndaj është  e padrejtë që për dëshmorët të ndërtohen komplekse kodrave dhe përrenjve ku do të ishin të fshehur nga Bota e ku me kohë do t`i vizitonin vetëm të afërmit e tyre, duke lënë përshtypjen se të tjerët nuk kanë obligim ndaj tyre.

Togu i Dëshmorëve të Kombit në Luginë, tashmë gëzon tretman të njëjtë me Dëshmorët anekënd trojeve etnike duke gëzuar përkujdesjen institucionale dhe njëkohësisht duke ua tërhequr vëmendjen këtyre të fundit, që fatkeqësisht jo rrallë herë i harrojnë veprat e Dëshmorëve dhe sakrificën e tyre, që këta të gëzojnë privilegjet e lirisë,  duke u zhytur në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave personale, grupore a partiake dhe duke harruar popullin nga gjiri i të cilit doli edhe ky Tog i Lavdisë Kombëtare me njëzet e shtatë emra të arta që tash e tutje do të qëndroj stoikisht para institucionit më të lartë lokal ashtu sikur në kohën e sfidës së shekullit të shkuar kur ishin në Ballë të Kombit.

Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorëve!